Njëzet e tre shtete anëtare të BE-së kanë nënshkruar zyrtarisht në Bruksel krijimin e ushtrisë evropiane.

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, në prani edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i dhanë jetë PESCO kësaj strukture ushtarake, që do të sigurojë kufijtë e jashtëm të familjes evropiane në kushtet e rritjes së tensioneve me Rusinë dhe kërcënimeve nga emigracioni i paligjshëm dhe terrorrizmi.

Përpjekjet e mëparshme ishin kundërshtuar nga Britania e Madhe.

Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Danimarkën, Irlandën, Portugalinë dhe Maltën janë pesë shtetet anëtare që nuk e nënshkruan marrëveshjen për ushtrinë e përbashkët evropiane. BE ka planifikuar 5.5 miliardë euro si fond fillestar.

Shtetet pjesëmarrëse kanë pranuar të rrisin me 20 përqind shpenzimet për mbrojtjen e përbashkët evropiane, në modernizimin e armatimeve, fushën kërkimore dhe teknologjinë ushtarake, kryesisht tanke dhe drone.

Shefja e diplomacisë evropiane Mogherini e ka konsideruar nënshkrimin e marrëveshjes për ushtrinë e re evropiane, si faqe të re në histori që do t’i krijojë kontinentit të vjetër autonomi strategjike përballë rreziqeve të kohës.

Mogherini nuk e sheh këtë forcë të re në konkurrencë me NATO-n, por bashkëpunuese, sidomos përballë rreziqeve të sulmeve kibernetike hibride, si dhe në sigurinë e Afrikës ku BE është më e pranishme se NATO dhe nga ku gjenerohen qindra mijëra emigrantë të paligjshëm.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Vladimir Lame