Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar sot për marrëveshjen mes Kosovës dhe Izraelit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Në një konferencë për mediat Stano ka treguar se BE është e pakënaqur që Kosova do të hapë ambasadë në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv. Më tej ai tha se ky vendim i Kosovës është kundër angazhimit të tyre strategjik për t’u integruar në BE.

Pozicioni i BE-së është i qartë, të gjitha ambasadat e BE-së dhe vendet anëtare kanë ambasada në Tel Aviv në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB dhe vendimet e Këshillit Evropian dhe zgjidhja e problemit duhet të gjendet në negociatat e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Palestinës”, tha zëdhënësi i BE.

Kritika pati dhe për Serbinë, shtet i cili njësoj si Kosova do të hapë ambasadë në Jerusalem. Dy vendet Kosova dhe Serbia për hapjen e ambasadës së tyre në Jerusalem mbështesin vendimin e SHBA.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të zhvendosin ambasadën e tyre në Jerusalem dhe u kanë bërë thirrje dhe vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë, ndërsa BE kërkon që selitë diplomatike të qëndrojnë në Tel Aviv./tvklan.al