Të avantazhuar ata që kanë marrë doza të njohura nga EMA

Pas më shumë se një viti prej nisjes së pandemisë, shqiptarët dhe shtetasit nga vendet e tjera të rajonit mund të vizitojnë këtë verë vendet e Bashkimit Europian edhe për turizëm. Komisioni Europian lëshoi këtë të Hënë, rekomandimin që u bën thirrje vendeve anëtare të lejojnë hyrjen e shtetasve të huaj të vaksinuar nga vendet që përfitojnë nga lëvizja e lirë pa viza.

Megjithatë, këta shtetas duhet të kenë injektuar vetëm vaksinat e firmave që kanë marrë lejen e Agjencisë Europiane të Barnave EMA për injektim masiv. Deri më tani, kjo agjenci ua ka dhënë lejen firmave Pfizer/Biontech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Një tjetër kriter që ndryshon është vendet që përfshihen në listën e lejuar duhet të kenë një mesatare jo më të lartë se prej 100 rastesh aktive për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit. Ky kriter ka qenë më i ulët deri tani me 25 raste për 100 mijë banorë. Personat që duan të udhëtojnë, duhet ta kenë mbyllur procesin e vaksinimit 14 ditë para udhëtimit të parashikuar.

Vendet anëtare mund ta zgjerojnë listën e vaksinave edhe me ato që rekomandohen nga OBSH. KE ua le në dorë po ashtu vendeve anëtare të kërkojnë edhe rezultatet e teste PCR para udhëtimit. Komisioni Europian po punon aktualisht edhe për certifikimin e pasaportës së vaksinimit. Nëse procedurat e nxjerrjes në përdorim të saj ecin shpejt, udhëtimet jo-thelbësore drejt vendeve të unionit pritet të nisin brenda qershorit. 

Tv Klan