Në Bruksel po mbahet samiti i radhës mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballanit Perëndimor

Shqipëria përfaqësohet në këtë samit nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Kosova nga Presidentja Vjosa Osmani. Merr pjesë në këtë takim edhe Majlinda Bregu si presidente e Këshillit Rajonal.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë se ky takim është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet evropiane.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha BE-ja synon që të krijojë lidhje më të ngushta me këtë rajon.

“Jetojmë në kohë të vështira, ndaj duhet që të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Ne duhet që të mbështesim më shumë ato shtete që kanë njehsuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Ne do të japim dy million euro që të rrisim gatishmërinë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në luftën kundër sulmeve kibernetike. Ka një dialog Serbi-Kosovë ku ditët e fundit ka pasur lajme të mira, të dyja palët po lëvizin, ngadalë por po lëvizin.“

Presidentja kosovare Vjosa Osmani ju kërkoi liderëve te BE-së t’i heqin menjëherë masat e padrejta ndaj Kosovës si jo proporcionale dhe të padrejta dhe se ato masa po ndikojnë drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve.

Ky samit i paraprin mbledhjes se Këshillit Europian që do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor dhe ku do të vendoset për fatin e hapjes së kapitujve të negocimit me vendin tonë.

Deri tani, të gjitha vendet, përveç Greqisë kanë aprovuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri – BE.

Ky samit që po zhvillohet në Bruksel është një mundësi lobimi për kryeministrin Rama në prani edhe të homologut grek Kyrjakos Mitsotakis lidhur me rezervat e palës greke për çështjen “Beleri”.

Klan News