Bashkimi Evropian mezi pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 Shkurtit. Në një komunikatë të përbashkët, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, thanë se do ta “vazhdojnë angazhimin me autoritetet, me qëllim mbështetjen e Kosovës për t’u afruar më shumë me BE-në dhe për të përfituar plotësisht nga mundësi të rëndësishme si, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Nuk ka alternativë tjetër veç dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Kallas.

Edhe NATO-ja pret që sa më parë në Kosovë të formohet një qeveri stabël dhe shprehet e gatshme të punojë me këdo që do ta udhëheqë vendin në të ardhmen. Sekretari i Përgjithshëm ka thënë se në bazë të rezultateve preliminare, duket se Kosova do të ketë një qeveri të koalicionit.

“Bazuar në rezultatet fillestare, duket se do të ketë një qeveri koalicioni. Ne sigurojmë që do të punojmë me këdo që udhëheq vendin. Dhe, natyrisht, ne urojmë politikanëve të gjitha më të mirat në përpjekjet e tyre për të krijuar në peizazhin aktual politik një krijimin e qeverie të qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Mark Rutte.

Teksa në Kosovë partitë politike vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura duke pritur rezultatet përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka siguruar se integriteti i votës nuk është cenuar, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.

Tv Klan