Parlamenti Europian vendosi ndalimin e përdorimit të të gjitha materialeve plastike brenda Unionit. Eurodeputetët miratuan me 571 vota pro dhe 53 kundër bllokimin e sendeve plastike, me qëllim mbrojtjen nga ndotja shqetësuese e ujërave.

Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, 150 mijë ton plastikë derdhen në ujërat europiane, ndërsa rreth 8 milionë ton materiale të tilla përfundojnë çdo vit në oqeane.

“Nëse vijohet me këto ritme, në vitin 2050 do të ketë më shumë plastikë se sa peshq në oqean”

, tha një prej eurodeputetëve.

Plastika në dete e oqeane dëmton rëndë jetën e faunës nënujore, ndërsa fatura e rëndë ekonomike për BE për pastrimin e ujërave të tij deri në vitin 2030, është 22 miliardë Euro.

Në listën e ndalimit përfshihen të gjitha mjetet njëpërdorimëshe si qeset, pjatat plastike, lugët e gotat plastike, si edhe pipat plastike që gjithkush përdor në jetën e përditshme.

Ende nuk ka një plan se si do të ndalohen këto materiale, por BE shpreson që brenda vitit 2021 vendet anëtarë të kenë bllokuar të gjithë plastikën.

Tv Klan