Lajçak: Zgjedhjet në 4 komuna, mina që u shkelën

Ndonëse i mbështeti dhe njohur rezultatin e zgjedhjeve të prillit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe në Kosovë, tani Bashkimi Europian po i quan ato ‘minë mbi të cilat fatkeqësisht shkelëm’. Komentet i bëri i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak në një intervistë për gazetën austriake “Kurier”.

“Marrëveshja e marsit ishte një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina përgjatë rrugës’ mbi të cilat nuk duhet shkelur. Zgjedhjet lokale të prillit ishin një e tillë mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Aktualisht përqendrimi ynë nuk është më në normalizim, por në menaxhim të krizave”.

I pyetur nga media austriake se a është BE-ja ajo që ka gabuar, Lajçaku tha se Brukseli siguron platformën e dialogut, porse suksesi varet nga dy palët. Ai foli edhe për vështirësitë për të biseduar me njëri tjetrin mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç duke shtuar se ata dy “vëzhgohen afër” nga qytetarët e vendeve të tyre.

“Të dy e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky dialog. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë për ta. Sepse edhe Vuçiç edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune,” shtoi Lajçak.

Lajçak pret që Marrëveshja e Ohrit të jetësohet ndërsa shprehet se pritja e gjatë nuk ndihmon as Prishtinën dhe as Beogradin.

Klan News