Ankaraja këshillohet që të mbajë sjellje të moderuar me Athinën

Krerët e Këshillit Evropian ngarkuan përfaqësuesin e Lartë të BE Josep Borrell me përgatitjen e një axhende të mundshme pozitive me Turqinë.

“Ne jemi gati me vendet anëtare qe të vendosim propozime më konkrete në tryezë në mënyrë që të kemi një marrëdhënie më të qëndrueshme, më të parashikueshme me Turqinë. Një axhendë e mundshme pozitive por e kushtëzuar. Kjo do të thotë që ne shpresojmë që Turqia të mbajë një sjellje të moderuar, sjellje pozitive në javët e ardhshme dhe në muajt e ardhshëm.”

Temat e diskutimit me Turqinë përfshijnë modernizimin e Unionit Doganor 25-vjeçar, veprimtaritë dhe lëvizshmërinë njerëz me njerëz, si dhe migracionin. Michel tha gjithashtu se janë në kontakt me autoritetet turke për një vizitë të mundshme në Turqi në Prill.

Presidentja e Komisionit evropian Von der Leyen, tha se Turqia ka treguar një qëndrim më konstruktiv, përfshirë marrëdhëniet e saj bilaterale me disa shtete anëtare të BE. Këto janë hapa pozitivë dhe të mirëpritur sipas Von der Leyen.

“Ne do të angazhohemi më tej me Turqinë për çështje të tilla si migrimi, financimi, dialogët e nivelit të lartë dhe modernizimi i Bashkimit Doganor,” tha von der Leyen. “Nëse Turqia nuk ecën përpara në mënyrë konstruktive, nëse kthehet në veprime të njëanshme ose provokime, në veçanti në Mesdheun Lindor, natyrisht, ne do ta ndërpresim këtë bashkëpunim.”

Komisioni do të paraqesë një propozim në këshill mbi mënyrën e mbështetjes së refugjatëve sirianë në Turqi si dhe në Jordan, Liban dhe pjesë të tjera të rajonit.

Kreret e BE-së vunë në dukje se sundimi i ligjit dhe demokracia mbeten thelbësore për çdo dialog që ata dëshirojnë të zhvillojnë midis BE dhe Turqisë. Vërejtje ka marrë Turqia për mos zbatimin e konventës evropiane, e miratuar në Stamboll në 2011. Konventa synonte të parandalojë dhunën ndaj grave, përfshirë dhunën në familje, dhe t’i japë fund mosndëshkimit ligjor për autorët e krimeve.

Disa pika të konventës shkaktuan debate mbi barazinë gjinore në Turqi, me kritikët që thanë se ato dëmtojnë vlerat tradicionale të familjes. Zyrtarët turq thonë se legjislacioni kombëtar është i mjaftueshëm për të mbrojtur gratë nga dhuna pa nevojën e konventës.

Klan News