Pas politikave të ashpra të Donald Trump ndaj shumë universiteve në SHBA, BE po ofron stimuj për studiuesit amerikanë që të japin kontributin e tyre në Europë dhe preferojnë të largohen nga vendi i tyre.

Për ti joshur studiuesit e pakënaqur, Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, njoftoi një paketë në vlerë 500 mln Euro gjatë një dalje të përbashkët me Presidentin francez Emmanuel Macron në Universitetin e famshëm të Sorbonës në Paris.

“Shkenca është një investim – dhe ne duhet të ofrojmë stimujt e duhur. Kjo është arsyeja pse do të paraqesim një paketë të re prej 500 milionë Eurosh për vitet 2025-2027 për ta bërë Evropën një magnet për studiuesit. Ne po zgjedhim ta vendosim kërkimin dhe inovacionin, shkencën dhe teknologjinë, në zemër të ekonomisë sonë. Ne po zgjedhim të jemi kontinenti ku universitetet janë shtyllat e shoqërive tona dhe të mënyrës sonë të jetesës”, tha Ursula von der Leyen

Ajo tha gjithashtu se dëshiron që vendet anëtare të BE-së të investonin 3 përqind të produktit të brendshëm bruto në kërkim dhe zhvillim deri në vitin 2030.

Kritikat e Macron ndaj politikave të Trump ishin më të qarta.

“Askush nuk do ta kishte imagjinuar disa vite më parë se një nga demokracitë më të mëdha në botë do të shfuqizonte programet kërkimore me arsyetimin se në programet e tyre ekziston fjala diversitet. Askush nuk mund ta kishte imagjinuar se një nga demokracitë më të mëdha në botë, me një të rënë të lapsit, mund të eliminonte mundësinë e marrjes së vizës për një studiues”, tha Emmanuel Macron.

Muajin e kaluar, Macron dhe Von der Leyen njoftuan se do të ftonin shkencëtarë dhe studiues nga e gjithë bota në Evropë, në një kohë kur administrata e Trump po kërcënon të shkurtojë fondet federale për Harvardin dhe universitete të tjera amerikane.

Klan News