Teksa numërimi mbrapsht për Brexit është drejt fundit dhe me parlamentin britanik në një udhë pa krye, Bashkimi Europian përgatitet për një shkëputje pa marrëveshje.

Michel Barnié , kryenegociator për Brexit në BE:

Javën e kaluar parlamenti britanik votoi kundër një Brexit pa marrëveshje. Por të votosh kundër skenarit pa marrëveshje, nuk e parandalon atë të ndodhë. Të gjithë duhet të finalizojmë përgatitjet për një skenar të tillë.

Kryenegociatori Barnié këshilloi kryeministren britanike Theresa May, të jetë bindëse në strategjinë e saj për shtyrje të Brexit.

“Nëse Kryeministrja May i kërkon Këshillit Europian një shtyrje, liderëve europianë do t’u duhet një plan konkret për të marrë këtë vendim”.

May pritet të udhëtojë të enjten në Bruksel, për të bindur Bllokun për një shtyrje të shkurtër dhe jo 2-vjeçare siç u raportua fillimisht. Aktualisht Londra dhe Brukseli duken ende larg ujdisë. Nëse brenda 9 ditëve të mbetura nuk ka asnjë zhvillim, Britania e Madhe del nga BE pa marrëveshje, çka është edhe skenari më i padëshiruar nga të gjithë.

Tv Klan