Nëse nuk tërhiqet nga kërkimet për naftë dhe gaz në detin Mesdhe

Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë për “provokime dhe presione” ndaj Greqisë mbi burimet e energjisë dhe kufijtë detarë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Ankarasë “të përmbahet nga veprimet e njëanshme” në Mesdheun Lindor.

Duke folur sot gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian në Bruksel, zonja von der Leyen tha se BE donte një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive me Turqinë dhe kjo do të ishte gjithashtu në interes të Ankarasë. Krerët e BE-së ranë dakord të rishikojnë sjelljen e Turqisë në muajin Dhjetor dhe të vendosin sanksione nëse provokimet në det nuk do ndalen nëse ajo vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar.

Turqia dhe Greqia krijuan një linjë direkte telefonike ushtarake në përpjekje për të ulur rrezikun e përplasjeve në rajon. Delegacionet ushtarake turke dhe greke zhvilluan një seri bisedimesh teknike, duke filluar nga 10 Shtatori, në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar Mesdheun Lindor. Tensionet u rritën më herët këtë vit kur Turqia dërgoi një anije në një zonë të diskutueshme për të kërkuar depozita potencialisht të pasura të naftës dhe gazit.

Klan Plus