Pas negociatave të vazhdueshme mes Tiranës dhe Brukselit, ligji special për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar ka marrë aprovimin e Komisionit Europian. E konfirmon këtë, kjo letër drejtuar qeverisë shqiptare nga shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella për sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

“Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë…por në bazë të informacioneve të deritanishme nuk është e mundur të konfimojmë apo përjashtojmë nëse ndihma shtetërore do të përfshihej në favor të kontraktorit të përzgjedhur”.

Komisioni evropian thotë se e mbështet angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar draftin në mënyrë që për projektin të garantohet garë mes kompanive.

“Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian. Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin.”

Pas këtij qëndrimi të Bashkimit Europian ka reaguar kryebashkiaku Veliaj që shprehet optimist për realizmin e projektit të ri.

“Lajm i shkëlqyer Letra e KE për Teatrin e Ri! Kush kërkoi përgjigje nga BE, tani e ka dhe s’duhet ta pengojë progresin! Teksa ligji nuk shkel MSA, kemi shansin ta bëjmë dhe më të mirë akoma! Tani që pengesat ranë, le të bashkohemi dhe ecim përpara!”

Ndërsa Partia Demokratike thotë se BE konstaton se Ligji ka shkelur legjislacionin europian për prokurimin publik, pasi shmang garën e hapur.

Dekreti i Presidentit që ktheu për rishqyrtim ligjin e posaçëm për projektin e Teatrit Kombëtar është parashikuar që të kalojë për votim në seancën e 20 Shtatorit. Përpara kësaj ai do të diskutohet në komisionet parlamentare. Burime nga mazhoranca thanë se propozimet e Komisionit Europian do të reflektohen në draftin final.

Tv Klan