Bashkimi Evropian do të prezantojë paketën e tij të 10-të të sanksioneve kundër Rusisë më 24 shkurt, për të shënuar përvjetorin e agresionit të plotë të Rusisë në Ukrainë, tha një zyrtare e lartë e bllokut në Kiev të premten, ndërsa forcat ukrainase përgatiten për një ofensivë të pritshme ruse në javët e ardhshme.

Sanksionet do të vënë në shënjestër ndër të tjera, teknologjinë e përdorur nga makina e luftës ruse, tha në një konferencë shtypi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Sanksionet do të synojnë veçanërisht komponentët e përdorur në prodhimin e dronëve, tha ajo, duke përmendur Iranin si furnizuesin kryesor të Rusisë.

Mbyllja e hapësirave që Kremlini përdor për të anashkaluar sanksionet do të jetë gjithashtu një përparësi, shtoi zonja Von der Leyen, e cila ishte në vizitën e saj të katërt në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës.

Masat e sakta në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së duhet të dakordohen nga 27 vendet anëtare të bllokut – një proces që mund të zgjasë për javë të tëra.

Zyrtarët e lartë të BE-së u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një shfaqje mbështetjeje për vendin që po lufton për t’iu kundërvënë forcave të Kremlinit dhe përpiqet t’i bashkohet BE-së si dhe NATO-s.

Samiti i fundit i tillë u mbajt në Kiev në tetor 2021 – disa muaj para fillimit të luftës. Vizita shumë simbolike është gjithashtu misioni i parë politik i BE-së i këtij lloji në një vend në luftë.

Takimi i nivelit të lartë erdhi pasi një 60-vjeçar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën të premten kur raketat ruse goditën qendrën e Toretskut, në rajonin lindor të Donetskut, tha zyra e prokurorit vendas në një deklaratë në Facebook.

Autoritetet ukrainase raportuan të premten se të paktën gjashtë civilë u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të mëparshme.

Ndër viktimat ishin dy vëllezër, të moshës 49 dhe 42 vjeç, të vrarë kur bombardimet ruse shkatërruan një ndërtesë apartamentesh në rajonin verilindor të Kharkivit, tha zyra presidenciale e Ukrainës. Babai i tyre 70-vjeçar u shtrua në spital me plagë.

Gjithashtu, gjashtë persona u plagosën dhe 18 ndërtesa banimi, dy spitale dhe një shkollë u dëmtuan në një sulm rus në qytetin lindor të Kramatorskut të enjten, tha guvernatori Pavlo Kyrylenko. Katër persona humbën jetën kur një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në atë qytet të mërkurën.

Zyrtarët evropianë ishin të vendosur për të vazhduar mbështetjen ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës, por ata nuk dhanë ndonjë hollësi të re në lidhje me rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Presidenti Zelenskyy tha se qëllimi i Ukrainës “është të fillojë negociatat këtë vit”. Por procesi ka të ngjarë të zgjasë me vite dhe do të kërkojë miratimin e reformave të gjera, duke përfshirë një shtypje të korrupsionit, ndërsa vendi merr miliarda dollarë ndihma. Kievi paraqiti zyrtarisht kërkesën e tij qershorin e kaluar.

Presidenti Zelenskyy tha se ishte bërë përparim për integrimin e mëtejshëm ekonomik të Ukrainës në BE në disa sektorë, duke përfshirë bujqësinë, industrinë, energjitikën dhe doganat.

Qeveria e Ukrainës është e prirur të marrë më shumë ndihmë ushtarake perëndimore, përveç tankeve të premtuara javën e kaluar, pasi palët ndërluftuese pritet të nisin ofensiva të reja sapo të përfundojë dimri. Kievi i ka kërkuar Perëndimit të sigurojë avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi./VOA