merkel_Samiti urgjet i krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian ka vendosur të pezullojë vijimin e negociatave për marrëveshjen e lëvizjes pa viza me Rusinë dhe atë për tregtinë e lirë. Nga ana tjetër, liderët e kontinentit kanë lënë të hapur në Bruksel mundësinë e vendosje së sanksioneve më të ashpra ndaj Moskës zyrtare, në rast se ajo nuk ulet menjëherë në bisedime me autoritetet ukrainase për zgjidhjen paqësore të krizës mes dy vendeve. Duke folur nga kryeqyteti belg, kancelarja gjermane Angela Merkel, theksoi qëndrimin se nuk do të jetë e nevojshme vendosja e sanksioneve, por BE është e vendosur ta bëjë këtë në rast se do të jetë e nevojshme. Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, tha se tashmë nuk do të jetë një situatë normale marrëdhëniesh me Rusinë.

Por duket se është ende herët që përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës të ulen në një tavolinë bisedimesh përballë njëri-tjetrin. Këtë e kanë konfirmuar sërisht nga Roma sekretari i shtetit Xhon Kerri dhe ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, të cilët kanë biseduar për pak kohë, në kuadër të konferencës që u zhvillua në kryeqytetin italian për Libinë.

Pas zhvillimeve të fundit në Krime, presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e kufizimeve për marrjen e vizave ndaj zyrtarëve dhe individëve të përfshirë në shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, si në Rusi ashtu edhe në Krime. Në këtë listë nuk përfshihet presidenti rus, Vladimir Putin.

Paralelisht me aksionin diplomati, Shtetet e Bashkuara vendëosën dërgimin e një kontigjenti shtesë prej 18 avionësh luftarakë F-15 në Poloni dhe Lituani për kontrollin e hapësirës ajrore të këtyre vendeve në kuadër të partneritetit në NATO, si dhe dërgimin e një destrojeri në ujrat e Detit të Zi. Ndërkohë, Franca konfirmoi se do të përmbushë marrëveshjen e saj prej 1.2 miliardë eurosh të nënshkruar në 2011 për shitjen e dy helikopter-mbajtëseje Rusisë të klasit Mistral, 22 mijë tonëshe. Anija e parë pritet që në fund të vitit t’i dorëzohet flotës ruse në fund të këtij viti.

Një gazetare dhe folëse në edicionet e lajmeve të filialit të televizionit shtetëror rus në Shtetet e Bashkuara “Russia Today” protestoi ndaj linjës redaksionale të këtij televizioni, në mbështetje të presidentit Putin, duke dhënë dorëheqjen në transmetim të drejtpërdrejtë. Ajo tha se familja e saj ishte zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, pasi forcat ruse mësynë në Hungari për të shtypur revolucionin e vitit 1956.

Liz Wahl, gazetare e “Russia Today”: Dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht nuk mund të jem pjesë e një rrjeti të financuar nga qeveria ruse që justifikon veprimet e Putinit. Jam krenare që jam amerikane dhe besoj në përhapjen e së vërtetës. Kjo është edhe arsyeja që pas këtij edicioni lajmesh, unë jap dorëheqjen.