Stop gjuhës së urrejtjes që të mos humbim më jetë njerëzore. Ky është apeli i komisioneres për drejtësinë në BE, Vera Jourova. Brukseli kërkon që rrjetet sociale të marrin masa të ashpra ndaj këtij fenomeni në të kundërt do të penalizohen rëndë.

Ndërsa liderët evropiane u mblodhën në Talin në samitin dixhital të organizuar nga presidenca estoneze, shtypi botëror u zgjua me apelin e komisioneres Věra Jourová që të penalizohen rëndë rrjetet botërore sociale që lejojnë publikimin e gjuhës së urrejtjes. Në shenjë revolte ndaj shtimit masiv të rasteve kur njerëzit po arrijnë deri në vetëflijim nga shpifjet dhe cënimi i dinjitetit, vetë komisionerja Jourová ka fshirë llogarinë e saj në facebook.

“Ana e shëmtuar e internetit ka mësuar të shfaqë fytyrën e saj. E kam fshirë llogarinë time në facebook sepse ky rrjet është kthyer në autostradën e urrejtjes. Unë nuk kam dëshirë ta mbështes këtë gjë. Gjuha e urrejtjes nuk janë vetëm fjalët, kjo po con drejt dhunës ndaj njerëzve konkretë në jetën e tyre të përditshme. Unë vetë u ndjeva e shënjestruar nga anonimët e fshehur pas tastierave. Ne nuk mund të pranojmë të jetojmë në një botë të egër dixhitale”

Brukseli u ka kërkuar platformave të komunikimit si Facebook, Google, Twitter, Youtube dhe Wikipedia që të marrin menjëherë masa dhe të pastrojnë adresat false, publikimet e dhunshme, propagandën terrorriste, lajmet e pavërteta, pornografi me subjekt fëmijët,  apo komentet raciste. Ultimatumi bazohet në ligjin gjerman ku për çdo publikim të gjuhës së urrejtjes, penalizimi nis nga 50 milionë euro gjobë nëse pastrimi nuk realizohet brenda 24 orësh.

Reagimet e para kanë nisur. Twitter ka mbyllur 300,000 llogari të lidhura me terrorrizmin ndërsa Google’s YouTube dhe Facebook kanë filluar të rrisin teknologjitë artificiale të inteligjencës për të përmirësuar zbulimin dhe zhdukjen e materialeve me natyrë ekstremiste.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Vladimir Lame

*Lajmet në Klan Plus mund t’i ndiqni çdo ditë në orën 20:00