Bashkimi Evropian ka finalizuar një program huash prej 150 miliardë eurosh, si pjesë e iniciativës “Security Action for Europe” (SAFE), për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe ato ushtarake të kontinentit. Ky program huash do të jetë dhe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Pasi Donald Trump pezulloi ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën, duket se BE po merr “frerët në dorë” për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë ukrainase.
Komisioneri i Bashkimit Europian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, e cilësoi këtë program si një “përparim të rëndësishëm” në mbështetje të Ukrainës. Ai shprehu pritshmërinë për shumë kërkesa nga shtetet anëtare për të përdorur këto huaja në projekte mbrojtëse të përbashkëta, duke përfshirë nevojat e Ukrainës.
Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë afat gjashtë muaj për të paraqitur planet e tyre për financim. Ky program është pjesë e një plani më të gjerë prej 800 miliardë eurosh, i njohur si “Readiness 2030”, i cili përfshin gjithashtu lehtësime në rregullat fiskale të Bashkimit Europian dhe mundësi për mobilizimin e kapitalit privat për investime në mbrojtje.
Plani i financimit synon të rrisë autonominë mbrojtëse të Evropës dhe të zvogëlojë varësinë nga aleatët e jashtëm, sidomos pas ndryshimeve në politikën e SHBA-së ndaj Ukrainës.
Disa shtete anëtare si Gjermania dhe Polonia e kanë mbështetur programin . Megjithatë, disa shtete të tjera si Franca, Italia dhe Spanja kanë shprehur rezerva për shkak të shqetësimeve lidhur me borxhin publik.
Komisioneri i Bashkimit Europian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, theksoi se rritja e shpenzimeve ushtarake të Bashkimit Europian nga 0.1% në 0.21% të PBB-së do të ishte një objektiv financiarisht i arritshëm.
Diçka të ngjashme me programin e financimit të BE ka bërë dhe Mbretëria e Bashkuar. MB ka nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për një hua prej 2.26 miliardë paund, e cila do të përdoret për blerjen e pajisjeve ushtarake të nevojshme për mbrojtjen e vendit nga agresioni rus. Kjo hua do të shlyhet duke përdorur fitimet nga asete sovrane ruse të sanksionuara.
Ky angazhim i BE-së dhe i Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe ushtarak të Evropës shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të përballuar kërcënimet e sigurisë në rajon./tvklan.al