Për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian, një vendi anëtar të zonës euro i refuzohet projekt-buxheti për vitin 2019. Komisioni Europian e quajti manovrën e Romës zyrtare të dëmshme dhe një shmangie nga rregullat e përbashkëta.

Pierre Moscovici – Komisioner Europian për çështjet financiare:

Borxhi publik është armiku i ekonomisë. Është armiku i popujve europianë. Borxhi publik i Italisë është 131% i prodhimit të brendshëm bruto, ose 37 mijë euro për çdo italian. Ne mendojmë se projekt-buxheti i Italisë nuk do ta ulë këtë borxh.

Projekti i ri i buxhetit italian parashikon rritjen e deficitit me 2.4%, nga 0.8% që është aktualisht.

Ministri i brendshëm italian Matteo Salvini akuzoi BE se po sulmon popullin dhe tha se vendi do të shkojë përpara i buzëqeshur. Italia ka tashmë 3 javë kohë për të paraqitur një tjetër plan buxhetor.

Paketa financiare e Italisë është bërë shkak për përplasjet midis krerëve politikë në Romë dhe Brukselit. 2 zv/kryeministrat Salvini e Di Maio sulmuan ashpër presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, për të cilin thanë se koha e tij ka mbaruar.

Tv Klan