“Koha për të hequr masat shtesë. Mjafton ‘green pass’ me dy doza vaksine”

Ka ardhur koha për të shqyrtuar heqjen e masave shtesë të udhëtimit të vendosura nga disa shtete anëtare përtej rekomandimeve të BE-së. Kështu u shpreh Komisioneri Europian i Drejtësisë, Didier Reynders pas miratimit të 27 rekomandimeve të reja lidhur me kufizimet për shkak të Covid-19.

Rekomandimi, që thotë se masat që duhet të zbatohen tani do të marrin parasysh vetëm gjendjen e personit dhe jo atë në nivel rajonal – i përgjigjet rritjes së përhapjes së procesit të vaksinimit dhe futjes së shpejtë të certifikatës dixhitale Covid-19 të BE-së dhe do të hyjë në fuqi në datën 1 Shkurt 2022.

Po ashtu Ministrat e BE-së, gjatë takimit të mbajtur të martën, pranuan propozimin e Komisionit Europian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e “Green Pass” për udhëtim brenda bllokut.

Kjo certifikatë ishte vendosur në pranverën e 2021 me qëllim që të lehtësojë lëvizjen brenda BE-së në kohën kur kishte nisur procesi i vaksinimit anti-covid.

Sipas rekomandimeve të reja, “Green Pass” do të jetë e vlefshme nëse përmban të dhënat se personi është i vaksinuar me së paku dy doza. Kjo certifikatë vlen 9 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërkaq për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar.

Në kohën kur shtetet e BE-së po regjistrojnë shifra rekord të infektimeve me variantin “Omicron”, blloku sugjeron lehtësime për udhëtime duke marrë parasysh suksesin që kanë arritur disa shtete me fushatën e vaksinimit të qytetarëve të tyre. Këto janë vetëm rekomandime të BE-së, pasi secili shtet anëtar do të vendosë për zbatimin e tyre në shtetet përkatëse.

Klan News