Komisioni Europian u ka propozuar qeverive të gjashtë shteteve ballkanike që të ndërmarrin masa të përbashkëta për unifikimin e tarifave “roaming”, për thirrjet telefonike hyrëse dhe dalëse drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Komisionerja europiane e Ekonomisë Dixhitale dhe Shoqërisë, Mariya Gabriel e ka bërë publike këtë kërkesë gjatë një takimi me ambasadorë të bllokut europian në 6 vende të rajonit.

Njehsimi do të thotë që shfrytëzuesit e shërbimeve të telekomunikacionit në rrjetet e telefonisë jashtë atdheut të tyre do të paguajnë çmime si në vendet e tyre, ashtu siç ndodh që nga 15 Qershori me qytetarët e BE-së.

Nën presion nga Komisioni Europian, operatorët e telefonisë celulare në BE u detyruan të unifikojnë çmimet e komunikimit mes vendeve të ndryshme dhe të ulin çmimet e roamingut.

Procesi i heqjes së tarifave në BE zgjati 10 vjet. Krahas uljes së tarifave për telefonatat roaming drejt apo nga BE, vendet e rajonit kanë rënë dakord në parim që kjo të ndodhë edhe për shërbimet telefonike mes tyre. Kostoja e roamingut në Ballkan është deri në gjashtë herë më e lartë se sa kostoja në Europën Perëndimore.

Burimi: Klan Plus