Bashkimi Evropian ka kërkuar në mënyrë ultimative nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç që të mos vënë kushte për takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme Josep Borrel.

“Data e takimit nuk është vendosur ende, pasi palët se kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare presin qasje të arsyeshme nga partnerët që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim të vinë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhje është interes i qytetarëve në Kosovë e Serbi”.

Sipas Bruselit, mungesa e angazhimit nga palët për ta çtensionuar situatën do të ketë pasoja të paevitueshme. Policia e Kosovës ndërkohë ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për çtensionimin e situatës mes dy vendeve.

Pas takimit që  Stoltenberg pati me Kancelarin gjerman Olaf Scholz ai kërkoi nga të dyja palët që të ndalin çdo hap tjetër përshkallëzues dhe të kthehen menjëherë në dialogun për normalizimin e raporteve.

“Forcat tona do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt”.

Pos thirrjeve të BE-së për një takim urgjent Kurti-Vuçiç në Bruksel, ky i fundit u ka dhënë përgjigje negative derisa Kurti fillimisht ka kërkuar që të mësojë për gjendjen shëndetësore të tre policëve të arrestuar e pastaj të marrë një vendim.

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e 3 policëve tanë që po mbahen peng, që po mbahen rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”.

Komuniteti Trans-Atlantik i ka kërkuar vazhdimisht Prishtinës të bëjë hapa për çtensionimin e situatës, ndërkohë që SHBA dhe disa vende të tjera perëndimore i kanë kërkuar Serbisë lirimin pa kushte të 3 policëve të Kosovës, të kapur nga forcat speciale serbe.

Tv Klan