Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera shtrenguese, nëse Qeveria Kurti nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.

“Kemi vendosur dhe kanë hyrë në fuqi një pjesë të sanksioneve ndërkohë që ka propozime për një sërë masash të tjera të përkohshme. Shtetet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht këto masa shtrënguese ndaj Kosovës nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të këtij shteti. Spektri  i sanksioneve është relativisht i gjerë.”

Stano ka thënë se sanksionet janë si kundërpërgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Pavarësisht përpjekjeve dhe bisedave mes zyrtarëve të lartë të BE-së dhe kryeministrit Kurti, ky i fundit nuk ka ndërmarrë hapat e duhura për uljen e tensioneve në veri. Letra që Kurti i ka dërguar Përfaqësuesit të Lartë Borrell ku ka bërë pesë propozime, nuk e adreson problemin kryesor dhe nuk tenton të bëjë hapa për uljen e tensioneve”.

I pyetur të komentojë kritikat e Kurtit ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, se ai nuk po sillet si lehtësues i paanshëm, por “vjen me kërkesa të Serbisë”, Stano ka thënë se nuk i komenton deklaratat e palëve dhe se “Lajçak është emëruar dhe e ka marrë mandatin nga 27 vende të BE-së, në emër të BE-së e kryen mandatin e tij në mënyrë të paanshme”.

Sanksionet evropiane përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Burimet diplomatike të BE-së kanë thënë se shtetet anëtare nuk e kanë obligim të zbatojnë masat ndaj Kosovës, por disa prej tyre tashmë kanë nisur të aplikojnë disa masa kufizuese. I pyetur pse BE-ja nuk po ndërmerr masa ndaj Serbisë, e cila “nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën, nxit probleme në Bosnje – Hercegovinë dhe nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”, Stano ka thënë se këto çështje nuk duhet të përzihen me njëra-tjetrën.

Ai ka thënë se Serbia ka bërë hapa drejt uljes së tensioneve duke bërë tërheqje të pjesshme të ushtrisë, nga zona në afërsi me territorin e Kosovës.

Klan News