Macron nuk e ka pjesë zgjerimin e shpejtë në planin Franca 2030

Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Jashtëm Evropian i cili mbikëqyr 142 ambasadorë dhe dy të ngarkuar me punë të BE-së në vendet e treta Stefano Sanino i tha France 24 se për Ballkanin Perëndimor liderët kanë për momentin vetëm plane afatshkurtra. Sanino iu referuar samitit të Brdosë ku nuk u pranua propozimi slloven për vendosjen e vitit 2030 si afati për anëtarësimin e plotë në BE të gjashtë shteteve ballkanike.

Për Stefano Saninon, BE -ja ka interes për ti afruar t’i këto shtete ndaj është “e natyrshme që shtetet e Ballkanit t’i bashkohen familjes evropiane në një periudhe afat të gjatë”.

“Jam i kënaqur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shprehur pa mëdyshje se vendi i tyre është në Bashkimin Evropian. Është mbi të gjitha një zgjedhje politike e këtyre shteteve për të vendosur veten në një kontekst evropian në vend që të përpiqen të luajnë për një alternativë tjetër. Vlerësoj  vullnetin e Tiranës dhe Shkupit për të ecur përpara në lidhje me shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit”.

Sipas analistëve franceze, samiti i fundit BE-Ballkan i ka lënë përsëri gjashtë shtetet ballkanike në paradhomën e klubit evropian, duke lënë potencialisht fushën e hapur për Rusinë dhe Kinën për të zgjeruar ndikimin e tyre në këtë rajon.

E vetmja arritje është premtimi që në këtë rajon do të investohen 30 miliardë Euro gjatë shtatë viteve të ardhshme për të mbështetur rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit dhe për të përshpejtuar kalimin në energji të rinovueshme. Kancelarja Merkel u shpreh kundër një date të caktuar për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Nuk sjell asgjë dhënia e një afati anëtarësimi që në fund vendos nën presion BE-ne”, tha kancelarja Merkel. Sipas presidentit francez Macron  shtimi i BE me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes në BE që po ecën ngadalë.

Macron ia doli të vendosë një kufizim të ri pasi në deklaratën përfundimtare të samitit, theksohet, se integrimi i vendeve të reja në BE kushtëzohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë organizatës që përmbledh 27 shtete anëtare. Me këtë shtojcë qeveria e Parisit mbajti të hapur bllokimin e zgjerimit në një të ardhme të afërt të BE me shtete të reja.

Tv Klan