Bashkimi Europian vlerëson edhe njëherë se Shqipëria ka bërë progres në të gjithë sektorët, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe proceset integruese. Deklarata është bërë në Bruksel nga zëvendësministri i jashtëm çek, Thomas Pojar, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, në takimin e parë, BE-Shqipëri pas hyrjes në fuqi të MSA-së.

Në një konferencë për shtyp me ministrin e jashtëm, Lulzim Basha, zoti Pojar, duke vënë theksin tek ky progres i qëndrueshëm, shprehu bindjen në vazhdimësinë e tij edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Tomas Pojar: “Shqipëria ka bërë hapa përpara në të gjitha fushat, sidomos përsa i takon korrupsionit.  Zgjedhjet do të jenë një test i rëndësishëm. Janë bërë hapa përpara gjatë këtyre viteve të fundit dhe ne shpresojmë se kjo rrugë e nisur do të vazhdojë.” 

Po kështu, në këtë takim është diskutuar edhe në lidhje me heqjen e regjimit të vizave, zgjedhjet si dhe situatën në rajon. Përsa i përket liberalizimit të vizave, presidenca çeke ka deklaruar se është ende herët për të thënë, se cili do të jetë vendimi i Bashkimit Evropian për Ballkanin perëndimor dhe se të gjitha vendet do të vlerësohen në bazë të arritjeve të tyre. Edhe Zoti Pojar ka hedhur poshtë zërat se ka patur një klasifikim që ka lënë pas Shqipërinë në këtë proces.

Tomas Pojar: “Në të gjitha rastet do të vërtetohet progresi që vendet kanë bërë në kuadër të heqjes së regjimit të vizave është ende e parakohshme të themi se cili do të jetë vendimi i Bashkimit Evropian.”

Ministri Basha ka konfirmuar edhe njëherë se heqja e vizave mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe se ekzekutivi do të bëjë gjithçka për të arritur lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Lulzim Basha: “Procesi i heqjes së vizave është një prioritet i qeverisë shqiptare. Pajisja me karta identiteti dhe pasaporta biometrike janë ndër kriteret e përmbushura për liberalizimin e vizave.”

Presa i përket procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike, dokumente këto të domosdoshme për heqjen e vizave, kryediplomati shqiptar theksoi se ky proces po ecën normalisht dhe garantoi se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë brenda standardeve të Bashkimit Europian. Ndërsa përsa i përket këtij takimi, ministri Basha tha se ai shënon një start të ri të marrëdhënieve Tiranë-Bruksel./tvklan.al