Bashkimi Evropian i cilëson zgjedhjet 11 Majit si gjithëpërfshirëse dhe të qeta, duke shtuar se dita e votimit u zhvillua në një mjedis të polarizuar.
Ky është qëndrimi i mbajtur me anë të një deklarate të përbashkët nga ana e zv/presidentes së Komisionit Evropian, njëherësh shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas dhe Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.
“Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, dhe kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime. Megjithatë, votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilin garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, mund të jetë që shumica qeverisëse kishte një avantazh të pushtetit. U bënë akuza të shumta për presion mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë”.
Më tej, në deklaratë theksohet se përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim i mirëpritur dhe ndjekja e tyre është e nevojshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme të keqpërdorimeve zgjedhore.
Brukseli në të njëjtën bën të ditur se po ndjek të gjithë procesin zgjedhor të 11 Majit deri në shpalljen e rezultateve.
“BE-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit”.
Kallas dhe Kos gjithashtu theksojnë se e inkurajojnë Shqipërinë që të ndjekë të gjitha reformat e kërkuara për anëtarësimin e saj në BE, duke përfshirë edhe miratimin e një reforme zgjedhore që adreson të gjitha rekomandimet kryesore të misionit të ODIHR.
“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar dhe një projekt për të gjithë shoqërinë, i cili mbështetet fuqimisht nga qytetarët e Shqipërisë. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, pasi të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë, nga organizatat e shoqërisë civile deri te komunitetet lokale, kanë një rol për të luajtur në avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të vendit në BE”.
Kjo është deklarata e parë e Bashkimit Evropian, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 11 Majit që u zhvilluan në Shqipëri.
Tv Klan