Ky është momenti i pabesueshëm kur një bebe e porsalindur, e varrosur për së gjalli për 8 orë, shpëtohet  nga policia në Brazil.

Të afërmit e bebes së vogël e varrosën atë pasi besonin se kishte vdekur në lindje.

Në pamjet e publikuara në media, shihet momenti kur dy polici i afrohen një grope dhe me anë të një drite që mbajnë në dorë heqin dheun nga koka e bebes.

Ata prisnin që të gjenin një trup të pajetë, por u tronditën kur dëgjuan një zë të mbytur.

Ata e nxorën beben të gjallë rreth orës 22:00, mbrëmjen e së martës.

Bebja u dërgua me urgjencë në spital, ku iu dha ndihma e nevojshme mjekësore. Mjekët thanë se ajo po përmirësohej, pavarësisht mënyrës traumatike që kishte nisur jetën.

Policia kishte marrë një denoncim për vdekjen e një bebeje që nuk ishte raportuar tek autoritetet përkatëse.

Ata shkuan tek shtëpia e familjes së saj në Canarana, për të hetuar dhe për të kontrolluar zonën.

E mitura kishte lindur rreth mesditës nga nëna e saj 15-vjeçare. Sipas asaj që shkruan The Sun, adoleshentja kishte qenë vetëm në tualet kur i kishin ardhur dhimbjet e lindjes.

Ajo deklaroi se bebja kishte dalë shumë shpejt dhe kishte rënë në dyshemenë e tualet me kokë.

Kur e vogla nuk qau, gjyshja e saj mendoi se kishte vdekur.

Për këtë arsye e mbështolli me një copë dhe e varrosi në bahçen e shtëpisë.

Sipas policisë, familja pranoi që nuk i kishte njoftuar autoritetet, por pretenduan se ishin ndjekur zakonet tradicionale, për këtë arsye kur oficerët shkuan në shtëpi ata i treguan ku e kishin varrosur të miturën.

/tvklan.al