Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një takim me homologun sllovak Peter Pellegrini. Pas bisedës në ambientet e Presidencës, ata patën një deklaratë për shtyp.

Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se mes Shqipërisë dhe Sllovakisë ka marrëdhënie shumë të mira të bazuara në respekt dhe mirëkuptim reciprok.

“Gjithashtu vlerësojmë se marrëdhëniet shumë të mira politike duhet të reflektohen në një axhendë më aktive bashkëpunimi veçanërisht në zgjerimin e shkëmbimeve në kuadër të diplomacisë parlamentare”, tha Begaj.

Presidenti u shpreh se Sllovakia është mbështetëse e vendosur e zgjerimit të BE-së. Ai theksoi se Shqipëria synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

“Sllovakia është një mbështetëse aktive dhe nxitëse e vendosur e zgjerimit të BE-së. Ajo ka ofruar asistencë, ekspertizë dhe eksperiencë për proceset integruese të vendit tonë në BE. I jemi mirënjohës Sllovakisë për mbështetjen. Ne jemi të vendosur të avancojmë shpejt dhe besojmë në një proces të bazuar në meritë, bazuar në progresin tonë jemi shumë optimistë për të hapur brenda këtij viti të gjithë grupkapitujt dhe po ashtu në objektivin tonë kombëtar synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në vitin 2027 dhe jemi optimistë se do finalizojmë anëtarësimin tonë në BE deri në vitin 2030”, tha Begaj. 

Në fjalën e tij Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini tha se dy vendet duhet të shtojnë dhe fuqizojnë bashkëpunimin./tvklan.al