Vlerësohet roli i komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Presidenti Begaj e falënderoi Atin e Shenjtë për pritjen e veçantë, ndërsa shprehu mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.

Kreu i Shtetit vlerësoi se vizitat e Papa Vojtilës dhe Papa Françeskut kanë qenë mesazhe të forta mbështetëse për shqiptarët, për historinë dhe sakrificat e tyre për liri e dinjitet. Presidenti Begaj e siguroi Papa Françeskun, se shqiptarët ndjehen të vlerësuar dhe janë mirënjohës për vendimet e Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, emërimin e At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi i Vatikanit, dhe së fundmi të emërimit të Imzot Arjan Dodajt si Kryeipeshkv i metropolit shqiptar të Tiranë-Durrësit.

Gjatë audiencës, vlerësuan rolin që luan komuniteti katolik në shoqërinë shqiptare, ndërsa jashtë vëmendjes nuk mbetën as zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe ndikimi i agresionit rus në Ukrainë për rajonin.

Presidenti Begaj e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar. Më pas Presidenti i paraqiti Papës bashkëshorten me dy të djemtë e tij dhe delegacionin e bashkëpunëtorëve, shoqëruar edhe nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj.

Pas fotografive tradicionale, Papa Francesku dhe presidenti Begaj shkëmbyen dhuratat e rastit. Në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, Presidenti Begaj, zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, ku u vlerësua marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy shteteve.

Tv Klan