“Kurti e Vuçiç të marrin përgjegjësinë për pajtim”

Presidenti i Republikës Bajram Begaj thotë se për Kosovën dhe Serbinë është koha për një kompromis të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

Në forumin ndërkombëtar të Prespës, Kreu i shtetit tha se Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin shembull nga marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës.

“Askush nuk mund ta verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm. Është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësi historike që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë pesë vite më parë të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, tha Begaj.

Begaj tërhoqi vëmendjen edhe për forcimin e demokracive të vendeve të rajonit.

“Konstatoj me keqardhje se në vitet e fundit për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjen e influencës së aktorëve të tretë keqdashës në rajonin tonë gjithnjë e më shumë po zë vend më shumë mëdyshja, demokraci apo stabilitet”.

Kreu i shtetit nënvizoi se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e rajonit do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike.

Tv Klan