Më datë 8 Maj të vitit 2000 biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Gjatë emisionit Pacolli tregoi arsyen e largimit nga Kosova, për të cilin u shpreh se ka qenë një hap i vështirë. Gjithashtu biznesmeni, tha se vendimin për tu marrë me biznes e mori pas suksesit që kishte në një nga kompanitë ku punonte.

“Unë jam larguar nga Kosova në vitin 1969 duke mos pasur mundësi ekonomike për të vazhduar shkollën. Kam qenë 18 vjeç dhe ka qenë shumë e vështirë të largohem nga Kosova. Fillova atë rrugë të gjatë nga Hamburgu në 1973 ku kreva një vit mësime për gjuhë gjermane dhe 2 vite shkollë të lartë për “Marketing”. Jam kthyer në Kosovë, gjeta punë me vështirësi në Gjilan. Pas disa vitesh nisa edhe një herë rrugën e mërgimit. Për rreth një vit isha në Austri, më pas kalova në Zvicër. Kam pasur suksese të mëdha në punë dhe më pas nisa aktivitetin tim. Mediat kanë shkruar për mua dhe më kanë cilësuar si “Zoti Miliarder”, por disa gjëra duhen saktësuar. Kompania ime ka pasur xhiro vjetore 1 miliard Dollarë, por fitimet nuk kanë qenë aq sa xhirot. Por këto mund t’i kuptoj vetëm ai që ballafaqohet me një punë si kjo e imja”, tregoi Pacolli.