Vilson Tafçiu mbeti i vrarë me armë më 20 Janar 2020 në zonën e Astirit në Tiranë. Pas një sherri me shokun e tij Noel Dishi, ky i fundit mori armën dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur.

Ngjarja ka ndodhur pas konfliktit për një vajzë mes të dyve. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka intervistuar familjarët e të ndjerit, të cilët kanë treguar se si e mësuan që Vilson Tafçiu ishte vrarë.

Nuk ishte e lehtë për t’i dhënë lajmin e hidhur nënës së Vilsonit. Të afërmit e saj nuk i tregonin se çfarë kishte ndodhur. Fillimisht i thanë vetëm se Vilsoni kishte bërë aksident, ndërsa të tjerët u nisën nga Dibra drejt Tiranës.

Por pak orë më vonë, vëllai i Vilsonit i cili jeton jashtë vendit, i tregoi nënës se çfarë kishte ndodhur realisht.

Nëna e Vilson Tafçiut: Jam nisur me makinë nga Maqellara, xhaxhai i Sonit me makinë nga këtu për t’u takuar në fshatin Melan. Zbrita nga makina se nuk e kuptova çfarë më ka ndodhur, isha jashtëzakonisht e tronditur, nuk merrja vesh asgjë. Më tha xhaxhai i Sonit që s’ke për të ardhur për Tiranë. Unë gjithmonë se ka bërë karambol, aksident. I thashë pse mos të vij se jam nëna, se babën e vetë nuk e ka djali, i ka vdekur 2 muaj e gjysmë para vrasjes. Për 2 muaj e gjysmë më ka vdekur burri, baba dhe vrasja e djalit.

Xhaxhai i Vilsonit: Në gjysmë të rrugës kemi ndërruar makinat, kemi ikur për Tiranë, kam shkuar direkt në vendngjarje, të nesërmen na ka dhënë shteti kufomën. Me duart e mia e kam marrë. Ishte komplet shoqëria e djalit, mund të ishin 200 veta që ishin te morgu, te vendi i ngjarjes.

Nëna e Vilson Tafçiut: Kur kam ardhur në shtëpi, sa kam zbritur nga makina në oborr, më ka telefonuar djali i madh nga jashtë shtetit. O mami ku je. I thashë se kam ardhur këtu, se kur erdha rreth orës 23:00, i thashë sa po zbres. Më tha bëhu e fortë se na e kanë vrarë Sonin. Me një fjalë, lajmin e saktë e mora nga djali im që ma tregoi të drejtën. Kur u futa këtu ishte mbushur kjo dhoma dhe dhoma tjetër plot me njerëz, kishin ardhur gjithë komshinjtë, ishin mbledhur këtu.

Xhaxhai i Vilsonit: Mbi 5 ose 6 të tjerë i kishte marrë policia që i kishte futur brenda. Pas 1 ore më kanë treguar se kush është autori. Me familjen e autorit unë nuk njihem edhe këtë moment, nuk i njoh as babën, as nënën, as djalin vetë jo se ka vite që rri në Durrës. Kurse me dajat e çunit që na ka vrarë djalin, me ata kemi të bëjmë. Kam kunatën tjetër komshi me ta. Para 2 muaj e gjysmë, 3 muajsh, më vdiq më vëllai kanë ardhur familjarisht, komplet. Daja i këtij çunit që na ka vrarë djalin ka qenë edhe te babai im, te kunata ime, kanë qenë edhe për darkë. Unë për vete për hatër të kësaj miqësie, ajo është e pafalshme. Po qe se djali jonë do t’i kishte para borxh, ai kishte shumë leva në dorë që t’i përgjigjesha. Po nuk vritet djali për një goc në Instagram.  /tvklan.al