Kreu i opozitës Lulzim Basha ka qenë këtë të premte në qytetin e Matit një ditë pas masakrës, ku 3 persona u vranë me kallashnikov, dy prej tyre punonjës të Bashkisë së Matit dhe një banor i fshatit Shëlli si dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Basha nëpërmjet një video të postuar në rrjetin social Facebook, tregoi se ka vizituar të plagosurin Astrit Hani, i cili po merr mjekim në spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, si dhe ka qenë në familjet e të vrarëve ku ka shprehu ngushëllimet për humbjen e tyre.

“Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por gjithë shqiptarët dhe tregon kapitullimin total të shtetit për ballë krimit dhe gjendjen e pasigurisë që mbretëron nga Shëllia në qendër të Tiranës, nga Shkodra në Vlorë. Modeli nga i cili frymëzohen ngjarje të tilla kriminale është ai që duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga një model i një qeverisje të përkushtuar, një qeverisje që kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe është pranë tyre në ditë të vështira si kjo sot.

I bëj thirrje kryeministrit ta çkyçë gojën që e përdor vend e pavend me fjalor harbut për çdo gjë, t’i ofrojë ngushëllime tre familjeve, familjarëve të kësaj masakre, t’i ofrojë siguri qytetarëve të Matit dhe gjithë Shqipërisë. Ndonëse jam i bindur se çdo fjalë nga ana e tij nuk mund të zëvendësojë sot ndjenjën e pasigurisë që mbretëron dhe as të ofrojë ngushëllim për dhimbjen e thellë që ndiejnë qytetarët e Matit. Por dua t’i siguroj ata sikundër qytetarët e gjithë Shqipërisë se për mua, PD-në dhe opozitën rivendosja me dorë të hekurt e rendit publik, rikthimi i moralit nga forcat e rendit, kujdesi për jetën e qytetarëve që nga kryefamiljarët, të moshuarit e veçanërisht fëmijët”.

Nga ngjarja e rëndë gjeti vdekjen në vend Mentor Hoxha, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi humbën jetën pak orë më vonë.

/tvklan.al