Jonila Gjini 32 nga Lezha ka marrë pjesë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare në Tv Klan. Ajo ka treguar historinë e saj më të dhimbshme në jetë, humbjen e së motrës dhe të fejuarit të motrës në një aksident me makinë.

Jonila ka treguar se ajo dhe e motra kanë jetuar në Tiranë, kurse prindërit e tyre kanë qëndruar në Itali për shumë vite për shkak të një problemi shendetësor të të vëllait. Nuk e kishin parë të ëmën për 5 vite sepse ishte një kohë e vështirë për letra.

Jonila Gjini: Unë dhe motra kemi kaluar periudha shumë të vështira. Por ja kemi dalë së bashku të jemi mirë. Së bashku me motrën sot donim të bënim diçka të bukur për hallën tonë, por erdha vetëm sepse më 27 Prill të vitit të kaluar pësuam një aksident tragjik. Unë motra, i fejuar i motrës, dhe motra e të fejuarit të motrës. Nga ky aksident humba motrën dhe të fejuarin e motrës. Në Janar të atij viti ishin fejuar dhe në verë do bënin dasmë. Në fund të Prillit na thoshte se do e merrni vesh datën e dasmës, por që në fund të Prillit morëm vesh një lajm shumë të hidhur për ne që ishte një tragjedi. Motra stilonte, dhe ky fustani që kam veshur e ka stiluar ajo.

Ardit Gjebrea: Më bëjnë përshtypje sytë e tu të qeshur.

Jonila Gjini: Sepse pavarësisht gjithë këtyre vështirësive që kemi kaluar, kemi një familje të mrekullueshme dhe unë duhet të jem e fortë për ta dhe duhet të jem ashtu siç motra ime dëshiron të më shikojë mua. Nëse zgjedhim të bëjmë viktimën, nuk ja dalim dot. Nuk kam zgjedhur të bëj viktimën, kam zgjedhur që të jem sa më mirë për motrën time në radhë të parë dhe për familjen time, sepse po t’i shoh ata keq, do ishte shkatërrimi im. /tvklan.al