Shpërthim i fuqishëm në kryeqytetin e Libanit

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur këtë të martë kryeqytetin libanez të Bejrutit, ndërkohë që pritet të jepet vendimi për gjyqin që po zhvillohet për vrasjen e ish-Kryeministrit Rafik Hariri në 2005-n.

Sipas asaj që shkruan BBC, shpërthimi ndodhi në zonën portuale të kryeqytetit, ndërsa raportime ende të pakonfirmuara flasin për një shpërthim të dytë. Deri më tani mbeten të paqarta shkaqet e këtyre shpërthimeve. Videot e publikuara online tregojnë një shpërthim masiv dhe dëme të mëdha materiale.

Gjykata pritet që të japë vendimin për 4 të dyshuarit për vrasjen e Haririt, me një sulm me autobombë.

Të 4 janë anëtarë të grupit që mbështetet nga Irani, Hezbollah, që në mënyrë të vazhdueshme ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Haririt. Ata po gjykohen në mungesë dhe verdikti pritet të jepet të premten.

Shpërthimi i dytë, raportohet se ka ndodhur në rezidencën e Haririt në këtë qytet.

Ministri i libanez i Shëndetësisë. Hamad Hasan, tha se dëmet nga shpërthimi janë tepër të mëdha dhe se të shumtë janë ata që kanë mbetur të plagosur.

Vrasja e Rafik Harir dhe gjyqi për 4 të akuzuarit

Mëngjesin e 14 Shkurtit 2005, Rafik Harir, në atë kohë deputet në koalicion me opozitën në parlament, po udhëtonte me makinë kur një shpërthim i fuqishëm ndodhi në një zonë të mbushur me hotele e banka duke shkaktuar dëme të mëdha.

Hariri kishte qenë një prej politikanëve më premtues Suni dhe në kohën kur vdiq, iu ishte bashkuar thirrjeve për tërheqjen e trupave nga ana e Sirisë, që kishin qenë në Liban që prej 1976-s, pas nisjes së luftës civile.

Vrasja e tij shkaktoi demonstrata masive kundër qeverisë pro-siriane, duke drejtuar gishtin tek shteti fqinj. Brenda 2 javëve, qeveria u dorëhoq dhe disa javë më pas Siria tërhoqi trupat.

Pas mbledhjes së provave, OKB dhe Libani ngritën Gjykatën Speciale për Libanin (STL) në Hagë, në 2007-n, për të hetuar sulmin me bombë, që në fund çoi të pandehur 4 persona të lidhur Hezbollahun, grup që mbështetet nga Irani. Ata akuzohen për terrorizëm, vrasje dhe tentativë vrasjeje. Një person i pestë i lidhur me sulmin, komandanti ushtarak i Hezbollahut, Mustafa Amine Badreddine, u vra në Siri në 2016-n.

Mbështetësit e Hezbollah e kanë konsideruar këtë proces gjyqësor si të ndikuar politikisht./tvklan.al