Duhet certifikatë vaksinimi, karantinë për 7 ditë

Pas rekomandimit të Bashkimit Evropian pak ditë më parë mbi regjimin e ri të lëvizjes, edhe Belgjika ka rikthyer kufizimet për udhëtimet jo-esenciale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi.

Shtetasit e këtyre vendeve mund të udhëtojnë drejt Belgjikës kur janë të pajisur me certifikatën e vaksinimit. Pas mbërritjes në Belgjikë do i nënshtrohen testimit ditën e parë ose të dytë dhe të shtatë. Nëse në ditën 7 përgjigja është sërish negative, shtetasi del nga karantina.

Në rastet e udhëtimeve esenciale, duhet të kenë konfirmimin për udhëtimin nga ambasada e Belgjikës në Bullgari. Të miturit mbi 12 vjeç duhet të jenë të  pajisur me test PCR të 72 orëve të fundit dhe pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen karantinës. 

Rritja e rasteve të prekura me covid-19 i ka detyruar disa prej shteteve të Bashkimit Europian që të rikthejnë kufizimet e lëvizjeve në vendet e unionit. Nga ky rregull nuk ka shpëtuar as Gjermania e cila duke nisur nga e djela ka riaktivizuar kufizimet edhe për personat rezidentë në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Ambasada Gjermane në Tiranë bëhet me dije se udhëtimet hyrëse nga Shqipëria drejt Gjermanisë janë të mundura vetëm për arsye të rëndësishme ose nëse udhëtarët janë të pajisur me një certifikatë të plotë vaksinimi.

Tv Klan