Kombëtarja nr 1 e botës do të masë forcat me “të kaltrit” rekordmenë, për një vend në gjysmëfinale

Dy nga kombëtaret më të forta të Evropës, Belgjika dhe Italia do të përballen sot në orën 21:00 në “Allianz Arena” të Mynihut në çerkefinalen e Euro 2020.

“Të kaltrit” kanë 31 ndeshje pa u mundur, një rekord kombëtar për ekipin e Mançinit.

Pritshmëritë janë të mëdha tek ata, se mund ta fitojnë Evropianin, ndërsa ia kanë dalë vetëm një herë të vetme në vitin 1968.

Kjo do të jetë hera e pestë për Italinë që do të përballet me “Djajtë e Kuq” në një turne të rëndësishëm.

Të katër sfidat e mëparshme kanë ndodhur në fazën e grupeve, ku Italia ka arritur tri fitore dhe 1 barazim.

“Të kaltrit” kanë arritur në çerekfinalet e një Kampionati Evropian për herë të katërt radhazi. Në tri turnetë e mëparshëm, kualifikimi u vendos nga penalltitë. Dy herë Italia u eliminua e një herë kaloi në gjysmëfinale.

Në një Kampionat Evropian, italianët kurrë nuk kanë arritur të fitojnë pesë takime radhazi, ndërsa në këtë turne kanë fituar katër sfida.

Belgjika është e para në botë në renditjen e kombëtareve dhe këtë vit nuk ka humbur asnjëherë. Nuk ka ekip tjetër që “Djajtë e kuq” të jenë përballur pa fituar se sa “të kaltrit” në turne ndërkombëtarë.

Ekipi i Roberto Martinezit ka fituar të 14 takimet e luajtura në kualifikuese dhe finalet e Euro 2020, duke barazuar rekordin e Gjermanisë dhe Italisë.

“Djajtë e kuq” kanë shënuar në 34 takimet e fundit dhe kanë fituar 23 nga 27 sfida. Në sfidën e fundit mes dy ekipeve, në Euro 2016, belgët u mundën 2-0.

Klan News