Prej tri javësh tashmë, si imazhi më i ri i një prej programeve më të shikuar të Televizionit Klan, Belinda Dragoti është në qendër të vëmendjes.

Largimi i Kejvinës nga “Xing me Ermalin” muajin e kaluar, ngjalli një kureshtje të madhe se cila do të ishte bukuroshja që do ta zëvendësonte në skeçet, lojërat si edhe me pyetjet pikante gjatë intervistave me personazhet më të njohur. Prezantimi i Belindës të shtunën e 23 Marsit, u kthye në lajmin e ditës.

Në një intervistë për emisionin “Jo vëtëm modë” në Tv Klan Dragoti  rrëfeu se si u bë pjesë e emisionit “Xing” dhe prapaskenat e audicioneve.

“Unë kam marrë vesh për audicionet një ditë përpara datës kur duhej të paraqiteshim. Bëra aplikimin online dhe prisja të ishin 15 vajza. Kur shkova pashë që ishin mbi 300 konkurrente. U bënë dy faza konkurrimi dhe të pyesnin për komplekset që mund të kishe, nëse do të vishje apo jo një fustan siç kishte veshur Kejvina. Duhet të bëje disa ecje në skenë, të improvizoje një situatë që ta jepnin ata dhe t’i bëje pyetje dikujt nga juria. Një nga elementët kryesorë që kërkohej në një format të tillë ishte vetëbesimi në skenë dhe të ishe rehat me kamerat.

Unë nuk kisha emocione atë ditë dhe ndoshta ishte një plus. Nuk e di, por nuk e mora seriozisht dhe nuk po e besoja. U zgjodha dhe vetëm kur kemi filluar xhirimet e kuptova se po bëj diçka të madhe dhe me shumë përgjegjësi. Jam shumë e lumtur që m’u dha kjo mundësi. Diçka që shikuesit nuk e vënë re është prapaskena. Është një ambient i vogël, para se të futesh në skenë ku duhet të presësh derisa të vijë radha jote. Ka një pasqyrë të vogël, një kolltuk dhe duhet të rrish aty pa bërë asgjë. Deri tani duket në rregull, por Kejvina thotë që do bëhet e lodhshme”,

tha Belinda.

/tvklan.al