Kush janë 3 personat e radhës që duhet të deklarojnë pasurinë

Lutfti Shabani, i njohur ndryshe dhe si Ben Çami, i dënuar për trafik narkotikësh dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotikë, është një nga 3 personat të cilëve OFL u ka nisur kërkesën më shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë.

Në njoftimin e saj për mediat, OFL tha se shkresa u kishte nisur edhe Fatos Xhambazit banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i të miturve” kryer në bashkëpunim, si dhe Besnik Imerajt, banues në Durrës dhe i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.

3 personat në fjalë si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Kush është Ben Çami? Ai u arrestua në Shkurt të 2016-s pasi tentoi të trafikonte me një kamion drejt Turqisë 574 kilogramë kanabis. Droga u zbulua në pikën kufitare të Kapshticës. Më herët ai ishte dënuar edhe dy herë të tjera për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendin tonë, ndërsa për të njëjtat vepra penale rezulton i dënuar edhe në Itali./tvklan.al