Premtimi u mbajt! Benevento rikthehet sërish në Seria A pas tre sezonesh në ligat inferiore. Fitorja 1-0 ndaj Juve Stabia i siguroi matematikisht ngjitjen në elitën e futbollit italian “shtrigave” dhe nisjen e festës në rrugët e qytetit deri në orët e para të mëngjesit.

Dominimi i Seria B prej djemve të drejtuar nga Filippo Inzaghi ishte i frikshëm. 23 fitore në 31 ndeshje mjaftuan për të lënë pas me 24 pikë ndjekësit më të afërt, Crotonen dhe Cittadella, si dhe për të barazuar rekordin e Ascolit në sezonin 1977-1978, që e siguroi kalimin në elitë 7 javë para fundit të sezonit.

Kjo është hera e dytë që Benevento bëhet pjesë e Seria A në historinë e saj, pasi për herë të parë u promovua 3 vite më parë, por u rikthye andej nga erdhi pasi kishte humbur 14 ndeshjet e para.

Promovim që pritet të vendos përballë sërish vëllezërit, Inzaghi, me trajnerin e Lazios, Simone e Pippon që i kanë thuajse të sigurtë vendin në krye të pankinave respektive sezonin e ardhshëm.

Menjëherë pas lajmit të ngjitjes, Benevento kreu edhe zyrtarizimin e parë në merkato, ish-sulmuesin e Chelsea, Loïc Rémy.

Klan Plus