Bëni kujdes nga kompanitë që blini online, mund ta pësoni si gjyshi

Bëni kujdes nga kompanitë që blini online, mund ta pësoni si gjyshi

21:28 28/06/2019

Nikollë Topallaj, një 75-vjeçar nga Rrësheni vendos të blejë një makinë mishi online, në një kompanitë e shumta që kanë mbirë si kërpudha e që nuk reshtin së telefonuari për oferta. Nikolla tregon se e pagoi makinën 12 mijë lekë, por ajo nuk montohej. Nikolla tenton të kontaktojë kompaninë, por numri ka ndryshuar.

“Unë vij nga Rrësheni, jam në moshën 75 vjeç. Më ofruan nga një firmë çfarë do me marrë… Si përfundim thashë dua një makinë mishi. E mora, e çova në shtëpi, e hapa, doja ta montoja, si përfundim pas 3 ditësh kam shkuar prap në Tiranë. Shkova tek vendi, më kanë thënë merr drejtoreshën. Fola me të, pastaj më dhanë këtë gocën (në telefon), fola me këtë gocën. Kjo mu përgjigj mirë 5-6 ditë, pastaj më tha, a thua e ke prishur? Pse nuk punon? Nga gjërat më të ndryshme… “

Te cila kompani e bleve?

“Te kjo kompani që kam numrin këtu, se di çfarë është kjo kompani. E kam gjetur si kompani unë…”

E kërkuar ju?

“Jo ma kanë ofruan ata”.

Si ratë në gjurmët e kësaj kompanie?

“Më kanë kontaktuar ata (në telefon). Numri juaj i telefonit është i përzgjedhur sot, 1 herë 2 e 3 e 5. Çfarë do të marrësh? Makinë mishi, i thashë. E mora 12 mijë Lekë”.

Po ku e ka problemin kjo? Se kështu në pamje të parë duket shumë e bukur, të merr në qafë…

“Shumë e bukur, por nuk montohet, vetëm nuk montohet. Ajo ma ka ofruar për të rregullt, duhet ta kishte montuar dhe ta kishte sjellë. Unë është e katërta herë që vij në Tiranë për ta kthyer”.

Domethënë i bie ta kesh blerë edhe 2 herë të tjera nga Mirdita nga ke ardhur…

“Jo blerë, po ta kisha ditur unë nuk do kisha marrë me mish asnjëherë”.  

Në kompaninë tjetër FedEx thonë se bëjnë vetëm transportin e objekteve, por nuk mbajnë përgjegjësi për çfarë ka brenda. Për objektin përgjegjësinë e ka ShopAlbania, ku është porositur malli. Por punonjësit e FedEx thonë se me ShopAlbania kanë prishur kontratën, për shkak të ankesave të qytetarëve.

Gazetarja: Gjyshi është ankuar pranë redaksisë së emisionit “Stop”. Ka ardhur në këto zyra, sepse ka blerë një pajisje, gjithmonë sipas gjyshit.

Punonjësja: Ku e ka blerë?

Gazetarja: E ka blerë, vetëm një moment të lutem, te “Shop ALBANIA”.

Punonjësja: Atëherë, të të sqaroj diçka. Ne jemi kompani transportesh. Gjyshi ka blerë në Instagram, Facebook, apo kur e kanë marrë në telefon, ne nuk mbajmë përgjegjësi për mallin. Ne vetëm transportin. Siç ka ardhur nga klienti, nga subjekti, e çojmë tek klienti. Besoj se dhe ju e kuptoni, se janë kompani fantazmë. Bëjnë shitje, kush ta hajë, ta hajë dhe mbyllen.

Gazetarja: Në këtë rast qytetari…e ha në fund!

Punonjësja: Të mos bëjë blerje të pakontrolluara!

Punonjësi: Jemi shkëputur vetëm për këto probleme. Detyroheshim rimbursonim ne klientin. Vinin klientët, siç vjen zotëria këtu. Ne jemi kompani e madhe. Vinte, se ata nuk i përgjigjeshin dhe detyroheshim ne me lekët tona rimbursonim, por kështu nuk mund të vazhdonte dhe i shkëputëm marrëdhëniet./tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi