Kur ka mbetur vetëm një javë nga vendimi përfundimtar i vendeve të BE-së për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Gjermania ka vendosur 10 kushte për nisjen e tyre.

“Lajm tronditës!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetet sociale: “

Gjermania vendos 10 kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë!

Ish-kryeminsitri thotë se “

burime te mirinformuara nga Berlini bëjnë me dije se Bundestagu ka miratuar një dokument që do bëhet publik ditët e ardhshme, në të cilin hidhet poshtë kërkesa e Ramës për hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë.

Ai thotë se për këtë dokument kanë rënë dakord të gjitha grupet në parlamentin gjerman.

Dekalogu gjerman i kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria para hapjes se negociatave përfshin:

1 -Votimin e reformës zgjedhore

2- Vettingun e të paktën të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të apelit e sipër

3- Ndjekjen penale të të gjithë gjykatësve dhe prokuroreve që gjenden në shkelje të ligjeve gjatë vettingut

4- Ndjekjen penale dhe dënimin për korrupsion dhe trafiqe të zyrtareve të lartë.

5- Zhdukjen e mbjelljes dhe prodhimit të drogës në vend.

6- Luftën me rezultate konkrete të krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve!

7- Ngritjen dhe funksionimin e SPAK

8- Ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë!

9- Zbatimin e reformës zgjedhore

10- Funksionimin normal të shtetit ligjor.”

Berisha thotë se çdo njeri që lexon këtë dekalog e ka të qartë si drita e diellit se me “Edvin Kristaq Ramën nuk ka integrim, nuk ka hapje negociatash, por vetëm kushte, dyfishim kushtesh dhe bllokim!”./tvklan