“Rama e Balluku shesin 30-60 Euro më lirë energjinë sesa çmimi në bursa”

Në krah të ekspertëve që hartuan projektligjin për minimumin jetik, Sali Berisha e cilësoi emergjente nismën e ndërrmarrë nga opozita, nga e cila tha se përfitojnë 1 milionë e 300 mijë shqiptarë.

“Duhet të marrin 200 Euro pagë mujore. 85 % e tyre janë pensionistë. Përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë Lekë.”

Po ku do të gjenden paratë për nismën e opozitës, e cila mori mbështetjen e deputetëve demokratë në të dy grupimet?

“Vidhet 130% fondi i pagave. Sikur vetëm kontrabanda e naftës, e cila është të paktën 300 mijë ton. Nga 7.2 milionë turistë, buxheti i shtetit fiton gjithsej 8 milionë Euro në vit. Kjo është një vjedhje universale. Po sikur vetëm ky sektor të disiplinohet?”

Në shënjestër të akuzave, Berisha vuri kryeministrin dhe ministren Balluku, të cilët sipas tij po shesin energjinë e prodhuar nën çmimin e bursës vendase dhe asaj të Vjenës.

“Po shesin jashtë burse me një çmim 30 Euro më të lirë se bursa e Tiranës dhe rreth 60 Euro më të lirë se bursa e Vjenës.”

Pa komentuar nuk la edhe projektligjin për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

“Kjo është shpallja e “republikës së kanabisit””.

Sipas Berishës, ky ligj mund të sjellë edhe shkatërrimin e rrugës për Shqipërinë drejt BE-së.

Tv Klan