Ish-kryeministri flet nga ballkoni i banesës përpara simpatizantëve

Ish-kryeministri Berisha nga dritarja e banesës para mbështetësve bëri një bilanc të vitit 2023 të përpjekjeve të qeverisë për t’i mbyllur gojën opozitës dhe zhbërë alternativën e shqiptarëve. Akuzat e tij këtë here i vijoi tek ajo që prej muajsh e cilëson vjedhja e shekullit, inceneratoret. 

“Ju të gjithë e dini se Erion Veliaj është pronari bashkë me Edi Ramën i djegësit të Tiranës që deri sot ka zhdukur 130 milion Euro.”

Në fjalën e tij përpara mbështetësve, Berisha akuzoi Ramën për vjedhje votash, ndërsa sipas tij me ndihmën e drejtësisë mbylli dosjet e bujshme 184 dhe 139.

“Ky grup i strukturuar kriminal me një institucion të diktaturës mbyll dosjet e mëdha të krimit 184 dhe 139. Vangjush Dakon nuk e bën përgjegjës për dosjen elektorale, por për të çarat e një pallati. Kurse për vjedhjet Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Ulsi Manjën, Pjerin Ndreu dhe shumë të tjerë as nuk janë thirrur as nuk thirren fare.”

Simpatizantët e Berishës protestojnë çdo ditë poshtë apartamentit të tij, të cilën e ka emërtuar “rruga e shpresës”, kundër vendimit të gjykatës, që e ka lënë në “arrest shtëpie” për dosjen e ish-kompleksit Partizani.

Klan News