Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Fatmir Xhafaj u largua nga posti i ministrit të Brendshëm pasi nxorri dokumentet e bisedave të përgjuara mes Vangjush Dakos dhe anëtarëve të familjes Avdyli në Shijak.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se për të mbuluar shkakun e vërtetë, propaganda qeveritare nxorri variante të ndryshme, sipas tij, “për të poshtëruar Fatmir Xhafajn”.

Postimi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha:

Tre akuzat e rënda dhe poshtëruese që u leshuan mbi Xhafën!

Në ligjin e mafies, koska e dënuar duhet asgjësuar, në mos fizikisht së paku moralisht. Kjo ekzakt ndodhi dje me Fatzi Xhafën, të cilin pasi e larguan i lëshuan mbi shpinë tre akuza, secila më e zezë se tjetra si shkaqe të largimit të tij.

Të gjitha këto vetëm e vetëm për të fshehur e maskuar shkakun e vërtetë të largimit të tij, që janë mbrojtja nga Rama me çdo kusht e lëkurës së tij dhe të Gjushit, për të cilin Xhafa shpërndau dokumentet e dosjes hetimore dhe bindi/kërkoi pas urdhërit të prokurorisë arrestimin e tij. Rama bllokoi veprimet e Xhafës duke e strehuar Gjushin një natë në Surrel dhe të nesërmen e mbajti kudo mbas vetes, madje për t’i dhënë imunitet të plotë e paraqiti edhe në mbledhjen e grupit parlamentar.

Akuzat kryesore që makineria e kryeshpifësit të kombit lëshoi kundër Fatziut, janë:

E para, Xhafa u largua sepse Saimir Tahiri do të nxirrte në konferencën e shtypit të njoftuar gazetarëve direkt nga Sugar Fuga një video me skena erotike. Për të mbështetur këtë akuzë, sipas të cilës Xhafa është viktimë e krimit të pasionit, u angazhua vet direkt kreu i meduzës, i cili në Lushnje paturpësisht deklaroi: “Kujdes kur anëtaresoheni në Partinë Socialiste, ka kushte të vështira. Unë hoqa dorë nga e dalura nudo. Bëni llogaritë nëse hiqni dot dorë pasi të hyni në PS”.

Akuza e dytë, Xhafën e larguan sepse Saimir Tahiri do të nxirrte në konferencë shtypi ekspertizën italiane të zërit të aferës së famshme të Alfred Velisë, e cila dëshmon se zëri në audio është fiks i Geron Xhafës.

Akuza e tretë, Xhafa iku sepse kishte vendosur kontakte me Klement Balilin për t’i marrë video-regjistrimet e tij për Ramën, Bushatin, Gjiknurin, Ahmetin, Tahirin etj. Ndaj dhe Rama në takimin me narkopolicinë do t’i thoshte haptas Xhafës se pritet të vijë ambasadorja e SHBA të flasë për arrestimin e Balilit, indirekt ti po e mbron Balilin.

Por përsëri, të vërtetën e largimit tij e nxori Rama në Lushnje ku i kujtoi Xhafës gurët e hedhur mbi partinë si me arrestimin e Ndokëve, për të cilin Rama nuk shqipëroi një fjalë, por dhe të Avdylëve, Bajrëve por mbi të gjitha Rama nuk i fali Xhafës përpjekjen për arrestimin e Gjushit, faktikisht rrëzimin e tij si Kryeministër ndaj dhe i dërgoi me Don Agaçion në ora 01:30 në shtëpi zarfin me dy shkresa. E para me propozimin e tij për shkarkim nga detyra, e dyta me vendimin e tij për të pranuar dorëheqjen e tij. Xhafa zgjodhi fatin e tij. sb

/tvklan.al