Berisha: Alibeaj e Basha, pengje në krim

Berisha: Alibeaj e Basha, pengje në krim

15:43 17/03/2023

Kryedemokrati zbërthen formulën e koalicionit

Me tone të ashpra Sali Berisha e cilësoi peng të kryeministrit Enkelejd Alibeajn, të cilin KAS-i e regjistroi si kryetar iko i Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

“Të shpallësh kryetar atë që nuk është kryetar, do të thotë të pranosh të emëruarin e Edi Ramës. Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është krytar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Kjo do të thotë të kthehesh te opozita e emëruar. Është një vegël e kapur në krim nga Edi Rama dhe ky është problemi i tij. Nuk ka lidhje me PD-në”

Akuzat i vijoi edhe ndaj ish-paraardhësit të tij në krye të Partisë Demokratike, që sipas Berishës rezulton në raportin e auditit të bërë nga selia blu per lobimin në SHBA, se është peng në krim me financimin 700 mijë Eurove.

“Raporti qartëson se 700 mijë Euro, asnjë qindarkë nuk ka hyrë në arkën e PD-së dhe nuk ka dalë nga arka e PD-së. Është një aktivitet i paligjshëm, financim rus apo tjetër, nuk mund të them, por nëse e thotë raporti i CIA-s, nuk mund të vihet në diskutim. Basha është peng në krim”.

Zgjedhjet e 14 Majit i cilësoi historike, teksa tha se krerët e koalicionit të drejtuar prej tij “Bashkë Fitojmë” do të mbështesin kandidatët e opozitës.

“Unë, Meta, Dule e Nard Ndoka do mbështesim kandidatët në katër anët e vendit. Fushata politike është e një rëndësie jetike pasi është betejë me përmbysjen e monizmit”.

Akuzat ndaj kryeministrit Rama i vijoi edhe gjatë pasdites në prezantimin e Hysni Sharrës si kandidat për bashkinë e Vlorës. Berisha tha se pavarësisht përpjekjeve të tij, opozita do të dalë fituese në 14 maj.

“Edi Rama është angazhuar në një luftë të pamëshirë kundër opozitës dhe pluralizimit. Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare kryezbuluesin e SHBA. Por ja ku jemi ne, të pamposhtur demokratë”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin nga përgjumja dhe të bëjnë gjithçka për të ndryshuar situatën e rëndë ku e ka futur keqqeverisja.

Tv Klan







Të ngjashme