Refuzoi të merrte dijeni për vendimet e GJKKO

Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet avokatëve të tij dorëzoi këtë të hënë ankim të plotë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme që caktoi dhe më pas miratoi ndaj tij, masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” dhe “Ndalim dalje jashtë vendit”.

Dorëzimi i këtij ankimi i jep fund një sage me njoftimet dhe mosmarrjen dijeni apo mospranimin nga ana e ish-kryeministrit të njihet me vendimin masës së sigurisë.

Gjatë ditës Gjykata e Posaçme dërgoi me postë në dy adresa, dëftesat e komunikimit, thënë ndryshe shkresat për vënie në dijeni të ish-kryeministrit për vendimet dhe zbardhjen e tyre, të cilat u kthyen pas me nënshkrimin refuzuar.

Gjithashtu gjykata i dërgoi të njëjtën shkresë edhe avokatëve të ish-kryeministrit, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, të cilët në orën 15:50 minuta të kësaj të hëne dorëzuan në sekretarinë e gjykatës ankimin e plotë kundër vendimit.

Tashmë beteja e radhës do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit, e cila pritet që pas administrimit të ankimit të caktojë gjyqtarin dhe datën e shqyrtimit të ankimit për shuarje të masave të lëshuara. Vetë ish-kryeministri i ka konsideruar ato si anti-kushtetuese sa kohë janë marrë pa leje në Kuvend siç detyron ligji kur një person gëzon imunitetin e deputetit.

Tv Klan