Berisha: Basha kërkoi prova nga Yuri kim


Berisha: Basha kërkoi prova nga Yuri kim

15:54 05/08/2021

“Asnjë s’e bllokon hyrjen time në Shtator në Kuvend”

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka zbardhur bisedën mes Lulzim Bashës dhe ambasadores amerikane, pak ditë pasi nga oborri I selisë blu, diplomatja Kim në mënyrë ultimative i kërkoi kryedemokatit ta largojë nga grupi parlamentar, pas shpalljes ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara.

Në një dalje për mediat, lideri historik i demokratëve tha se Lulzim Basha e kishte njoftuar për bisedën mes tyre, duke i kërkuar ambasadores amerikane që të bëjë transparencë për akuzat e ngritura ndaj tij.

“Basha me ka njoftuar se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar ambasadores së SHBA të paraqesë një provë, një fakt një dokument, zonja Kim është përgjigjur që i kemi por s’i paraqesim. Në këtë mënyrë mund të shkatërrosh çdo opozitë.”

Duke i cilësuar skandaloze deklaratat e Ambasadores, Berisha tha se ajo po sillet në shkelje të hapur të ligjeve.

“Ambasadorja sillet si guvernatore në kundërshtim me ligjin. Deklarata me skandaloze e ambasadores në oborrin e PD, kërcënimi që u bëri me barin me skandaloz në 30 vjet”.

Për këtë sjellje të ambasadores, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike sipas Berishës duhet t’i kërkojnë zonjës Kim që të shprehet për një ndjesë.

“PD duhet t’i kërkojë zonjës që të kërkojë ndjesë dhe ajo mbetet e hapur me të gjithë përfaqësitë e vendeve mike”.

Por a i druhet Sali Berisha një tradhtie nga ana e Lulzim Bashës se në Shtator mund të mos jetë deputet i grupit parlamentar?

“S’është në dorën e kërkujt që të më çojë mua deputet në Shtator. Basha dhe asnjë institucion s’mund të bllokojë hyrjen në parlament si deputet të zgjedhur.”

E sa për një bashkëqeverisje Rama-Basha, Sali Berisha është i prerë.

“Kategorikisht kundër, drama më e madhe që mund t’i ndodh këtij vendi, opozita që është shpresë për përmbytjen e narkoshtetit të shndërrohet në levë të narkoshtetit. Askush nga demokratet, bashkë që iu referua zonja Kim mund të jetë mos të mos jetë për bashkëqeverisje”.

Këto deklarata lideri historik i demokratëve i bëri teksa deklaroi se avokati i tij kishte dorëzuar padinë për shpifje ndaj sekretarit Blinken në Gjykatën korreksionale të Parisit. Duke e cilësuar një vendim politik shpalljen e tij “non grata”, Berisha u shpreh se do ta vijojë këtë betejë për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij dhe të familjes.

Tv Klan






Të ngjashme