Teksa protesta e studentëve ka përshkallëzuar për të dytën ditë rradhazi, Sali Berisha ftoi jo vetëm të vetët por edhe pedagogët, qytetarët e bizneset në mosbindje civile që t’i bashkohen tubimit të të rinjve që kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.
“Jo vetëm demokratët por sot çdo prind duhet ti bashkohet atyre në shesh, çdo biznes i vogël duhet të ulë qepenat dhe të hidhet në grevë. Këto ditë ndahet historia, ana në të cilën duhet të qëndrojnë qytetarët shqiptarë, studentët kanë bërë zgjedhjen kanë treguar rrugën që duhet të zgjedhin të tjerët. Thirrje policëve që shohin se piramida e krimit dhe e drogës qëndron mbi ta si shpatë e demokleut të rebelohen, të bashkohen me studentët. Ky shtet është shteti i krimit të bandave, vrasësve trafikantëve kundër një populli dhe të ardhmes së rinisë”, tha Berisha.
Një paralajmërim i dha edhe efektivëve që sipas tij me urdhër të Edi Ramës dhunuan barbarisht studentë e të moshuar në tubimin e të martës.
“Ju që thyet kocka të rinjsh dhe burrash të moshuar që si shtazë godisni qytetarët ju siguroj se rreptesa e ligjit do bjerë mbi ju kudo të shkoni”, tha Berisha.
Për kryedemokratin përballë revoltës së rinisë ka vetëm një zgjidhje.
“Rama në vend të dorëheqjes kërkon tu sërvirë shkarkimin e Hitës apo ndonjë tjetri ndërkohë që ai qëndron pas urdhërit. I kërkoj Ramës të japë dorëheqjen si rruga më pak e dhimbshme, largimi i tij i menjëhershëm krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza”, tha Berisha.
Qëndrimi i Berishës vjen në një kohë kur edhe këtë të mërkurë protesta e studentëve është shoqëruar me tensione e përplasje, teksa demokratët kanë zbritur në shesh në mbrojtje të kauzës së rinisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 