Kryedemokrati Sali Berisha, pas kthimit nga Brukseli ku mori pjesë në Forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, paralajmëroi në një konferencë për mediat se beteja e opozitës për denoncimin e vjedhjes se votës së shqiptarëve do të shtrihet në disa fronte.

“Partia Demokratike do të angazhohet si në lëvizje të fuqishme të fuqishme brenda vendit, por dhe në dialog intensiv dhe takime intensive me organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere mike, për të vërtetuar të gjithë shëmtinë e farsës elektorale të datës 11 maj 2025.”

Objektiv i kësaj beteje thotë se do të jenë edhe ambasadat shqiptare në botë, para së cilave paralajmëroi protesta.

“Garantoj që shpejt do jetë dita kur ambasadat e narkodikatorit të rrethohen nga populli që iu shkelmua vota. Kam bindjen se këtë mandat nuk do ta gëzojë dhe se do përgjigjet një më një për këtë batërdi elektorale.”


Berisha thotë se ka fakte e prova për vjedhje dhe manipulim të votave, të cilat ua ka treguar dhe bashkëbiseduesve të tij në Bruksel.

“Gjetjet tona u paraqitën në seancën plenare, të debateve për gjendjen në botë, dhe zgjuan indinjatë dhe dënim nga të pranishmit. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë, denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale të 34 viteve të fundit.”

Sipas Berishës, zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri ishin të njëjta me ato të ndodhura dekada më parë në Zimbabve, të diktatorit Mugabe.

Tv Klan