Duke iu përgjigjur qytetarëve në një komunikim të drejtpërdrejtë nga rrjetet sociale, kreu i demokratëve Sali Berisha u shpreh se çështja McGonigal nuk do të kalojë si të tjerat. Sipas tij, ky rast ka tronditur thellë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Ai theksoi se PD është vendosur të bëjë “një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali”.

“Çështja McGonigal nuk do të kalojë kurrë si të tjerat. Kjo është një çështje që ka tronditur thellë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Çështja McGonigal është simbol i veprimeve më të zeza që një mafie ndërkombëtare ndërmerr ndaj një vendi. Jo më për asgjësimin e dy-tre personave, por të pluralizmit politik. Të gjithë ata që u implikuan në këtë operacion të turpshëm, do marrin vendin që meritojnë. Ne jemi të vendosur të bëjmë një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali. Jemi vendosur të informojmë komisionin hetimor në SHBA, për veprimtarinë kriminale, antidemokratike dhe antikushtetuese të McGonigal dhe të çdo diplomati që ka vazhduar veprën e zezë të shkatërrimit të opozitës”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se Rama është armik i egër i votës.

“Edi Rama është armik i egër i votës. E gjithë beteja jonë është largimi i tij nga pushteti. Unë e konsideroj akt patriotik vendimin e çdo emigranti dhe qytetari të diasporës të vijë dhe të votojë në Shqipëri. Ne do bëjmë gjithçka që të votoni në vendet ku jetoni për zgjedhjet në Shqipëri. Beteja jonë do të vazhdojë deri në fitoren tonë”, tha Berisha./tvklan.al