“Prokurorët ricikluan trillimet e tyre, u tregova ligjin”
Në prezencën e dhjetëra mbështetësve të tij, ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit pak para orës 10:00 në ambientet e SPAK sipas fletë-thirrjes së prokurorëve për t’u marrë në pyetje.
“Jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë që angazhohet në betejë kundër pluralizmit. Ne do të fitojmë, fitore”, tha Berisha.
Para prokurorëve të SPAK ai qëndroi për afro dy orë.
“Lideri i opozitës u pyet për herë të parë nga prokurorët e posaçëm si person nën hetim për privatizimin e kompleksit Partizani, ku dyshohet se është përfshirë në korrupsion”, raportoi gazetarja Bleona Metushi.
Komunikimin me median pasi la ambientet e prokurorisë e nisi duke treguar se si e kishte gjetur atmosferën brenda SPAK.
Pyetjet e dy prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai i konsideroi si riciklim të trillimeve që kanë bërë në dosje.
Sali Berisha: U tregova ligjin e 2004-ës dhe nenin që detyron shtetin që çdo pronë që nis të propozohet për tjetërsim, t’i jepet të shpronësuarit. Por ata kishin fshehur siç kanë fshehur qindra dokumente të tjera për të montuar piramidën politike të urdhëruar nga Edi Rama.
Teksa akuzoi prokurorët e SPAK për grup kriminal tha se ai vet personalisht nuk ka asnjë firmë për këtë proces, ndryshe nga kryeministri Edi Rama që ka disa.
Sali Berisha: Akuza që i bëhet Sali Berishës se ka kryer privatizimin për të pasuruar dhëndrin e tij, është si të thuash se Berisha ka blerë Edi Ramën për të pasuruar dhëndrin.
Masën e sigurisë ndaj tij e konsideroi si staliniste, por siguroi që do të paraqitet sa herë të kërkohet në SPAK.
Në përfundim pati edhe një mesazh për mbështetësit e tij duke i garantuar se do të ecin drejt fitores së pashmangshme përballë Edi Ramës.
Tv Klan